Të martën, studentët e UP-së marsh paqësor kundër Jabllanoviqit
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” shpreh indinjatën e tij ndaj deklaratave të ministrit të qeverisë së Republikës së Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Aleksandër Jabllanoviq, i cili pas protestës që u mbajt në Gjakovë i quajti egërsira të gjithë ata që protestuan – përfshirë edhe nënat e personave të pagjetur .
“Ne si Parlament Studentor i dënojmë këto deklarata shoviniste dhe urrejtëse ndaj protestuesve në Gjakovë dhe njëherazi i kujtojmë Jabllanoviqit se egërsira ishin ata të cilët vranë, masakruan dhe zhdukën djemtë dhe vajzat e këtyre nënave e që sot e 16 vjet pas luftës gjurmët e krimit ju dhe shteti juaj amë jeni duke i fshehur”, thuhet në kumtesë.
Parlamenti Studentor i UP-së thotë se të martën, duke filluar nga ora 12:00, organizon marsh paqësor kundër deklaratave të tij.
“Marshi paqësor do të niset nga Biblioteka Kombëtare dhe do vazhdojë deri tek Teatri Kombëtar, ku do të kërkojmë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, shkarkimin e ministrit Jabllanoviq.
Ne mendojmë se nuk mund të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës ai i cili fyen identitetin tonë kombëtar. Këto deklarata nuk i shërbejnë paqes as krijimit të raporteve të mira në mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, përkundrazi nxisin urrejtjen”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/