Të premten mbahet “Radiofest”
Gjakovë- Festave të fundvitit, në atmosferën e të cilave tashmë kemi hyrë, po i shtohet edhe festivali mbarëkombëtar i radiove, “Radiofest”, i cili për të nëntin vit me rradhë po organizohet nga Radio Gjakova.
Në një konferencë për gazetarë, organizatorët e këtij festivali kanë bërë të ditur se edicioni i nëntë i “RadioFesti-it” që do të mbahet të premten me 27 dhjetor, do të sjellë në Gjakovë 23 radiostacione nga Kosova, Shqipëria, Mali e Zi dhe Maqedonia, e të cilat do të garojnë mes vete në tri zhanre, atë të radio – reportazhit, raportit radiofonik, një gjini kjo që për herë të parë po hyn në konkurencë dhe radio – reklamës.
Skënder Gola, drejtor i Radio Gjakovës, ka bërë të ditur me këtë rast, se edicioni i nëntë i “RadioFest-it”, po organizohet pa ndonjë mbështetje financiare, por vullneti i orgnizatorëve e mbi të gjitha vullneti i radiostacioneve pjesmarrëse ka bërë që ky festival të mbahet edhe këtë vit e të mos dështoj.
Nga ana tjetër, Zeki Vehapi, redaktor në Radio Gjakova dhe pjesë e këshillit organizativ, ka thënë se e bukura e tërë këtij organizimi është fakti se njerëzit e radio stacioneve nga të gjitha trevat shqiptare po mblidhen bashkë, në një aktivitet që synon t’i afrojë sa më shumë këto mediume dhe njerëzit që punojnë në to.
Organizatorët kanë bërë të ditur se edhe në këtë edicion prurjet e punimeve janë në nivelin e kënqshëm e po ashtu e nivelit të lartë është edhe cilësia e këtyre punimeve. “Radiofest” mbahet të premten me fillim prej orës 18:00 në Hotel “Kalaja” Gjakovë./radiogjakova/