Të riatdhesuarit po regjistrohen
Gjakovë- Në Kuvendin Komunal të Gjakovës, vazhdon procesi i regjistrimit të personave të cilët janë duke u rikthyer në komunën tonë. Si jemi informuar nga Kapllan Kërshi, zyrtar për kthim të qëndrueshëm, në Zyrën komunale për Komunitete dhe Kthim në Gjakovë, bëhet fjalë për krijimin e një data-baze për të gjithë ata të cilët janë riatdhesuar, gjë e cila po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Më konkretisht për të gjithë ata të cilët rikthehen me aeroplan, informacionet merren nga kjo ministri, ndërkohë që në rastet e kthimit me mjete tjera transportuese, hulumtimin, përkatësisht identifikimin e tyre e bënë Zyra komunale për Komunitete dhe Kthim në Gjakovë.
Sipas Kërshit, deri më tash në bazën e të dhënave janë regjistruar rreth 150 familje të riatdhesuara në komunën tonë, ndërkohë që ky nuk është numri përfundimtar, meqë ka ende familje për t’u regjistruar.
Ndryshe, zyrtari për kthim të qëndrueshëm, në Zyrën komunale për Komunitete dhe Kthim në Gjakovë, Kërshi, ka thënë se regjistrimi pos identifikimit të saktë të personave të riatdhesuar, është në funksion edhe të identifikimit edhe të kërkesave si dhe zgjidhjes eventuale të problemeve aktuale të tyre./radiogjakova/










