Teatri dhe klubet sportive presin ligjet e tyre
Ligji për Teatrot, që përfundimisht do ta përcaktojë fatin e Teatrit të Gjakovës dhe Ligji për Sponsorizim, i cili do ta vej në binarë ekzistencën e klubeve sportive, janë dy ligjet që pritet të miratohen në gjysmën e parë të vitit 2015, e për të cilat komuna e Gjakovës ka interes të veçantë dhe mezi po e pret miratimin e tyre.
Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se Gjakova do të përfitojë shumë nga miratimi i këtyre dy Ligjeve. Sipas saj, me ligjin mbi Teatrot, Teatri i Gjakovës do të kthehet në Teatrin e dytë kombëtar dhe si i tillë do ta ketë buxhetin e sigurt, buxhet që gjithashtu garanton edhe stabilitet financiar për aktorët gjakovarë, për faktin se do të obligohet themelimi i trupës rezidente teatrale.
Njëjtë sikurse ky, rëndësi të madhe ka edhe Ligji për sponsorizim. Ky ligj do të garantojë lehtësira fiskale dhe favore tjera ekonomike për të gjitha ato kompani që vendosin të sponsorizojnë ekipet sportive në sporte dhe kategori të ndryshme. Pas miratimit të këtij Ligji, shumë kompani pritet të ndihmojnë financiarisht klubet sportive në Gjakovë, për faktin se kjo ndihmë do të kthehet me benifite tjera nga ana e shtetit./radiogjakova/