Teatri “Hadi Shehu” përcaktohet për dy premierat e para për 2018
Teatri i Qytetit “Hadi Shehu” synon që këtë vit të shfaqë 4 premiera. Drejtori i teatrit, Edi Kastrati, tha se tashmë janë përcaktuar dy premierat e para të cilat do të inskenohen në pjesën e parë të vitit nga dy regjisore femra.
Megjithëse pa përmendur emra, Kastrati u shpreh se është një qëllim i mirë i teatrit që këtë vit t’ju japi përparësi regjisoreve femra.
Sa i përket shfaqjeve premierë që do të realizohen, drejtori Kastrati deklaroi se njëra është “Ditari i Ana Frankut” që do të vijë si dedikim për heroinën gjakovare Yllka Domi, ndërsa shfaqja tjetër është “Gishti” e skenaristes nga Prishtina Doruntina Basha që është inskenuar në shumë vende të Europës.
Programi për pjesën e dytë të vitit të Teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” ende nuk është miratuar, por drejtori Kastrati shpreson që të realizohen edhe dy premiera të tjera për ta mbyllur vitin 2018 me 4 premiera.
Ndryshe, Teatri i Gjakovës hapi sezonin artistik me shfaqjen “Rojat e Taxhit” që u shfaq javën e kaluar nga trupa e Teatrit Eksperimental të Tiranës. /radiogjakova/