.
Published On: Wed, Apr 19th, 2017

Teatri i Gjakovës këtë vit feston 40-vjetorin

Share This
Tags

Teatri i qytetit të Gjakovës këtë vit do të festojë përvjetorin e 40 të punës si teatër profesionist.

Me këtë rast përveç organizimit të aktiviteteve për këtë përvjetor, Teatri i Gjakovës do të hartojë një monografi në të cilën do të përfshihet e gjithë puna dhe krijimtaria e prezantuar para adhuruesve të artit skenik në vend dhe jashtë tij si teatri i dytë profesional në Kosovë.

Në fakt puna teatrore në këtë teatër ka nisur që në dekadat e para të shekullit 20, por që në vitin 1977 është shndërruar ne teatër profesionist.

Me dhjetëra projekte me tema të ndryshme, nga autorë kombëtarë e ndërkombëtarë, që janë realizuar ndër vite janë shfaqur para publikut vendas dhe në vende të tjera të hapësirave shqiptare e më gjerë, të cilat do të përmblidhen në një monografi që mendohet të finalizohet me rastin e kremtimit të këtij jubileu.

Për hartimin e monografisë tashmë është caktuar grupi punues, i cili ka nisur punën e grumbullimit të materialeve.

Sipas drejtorit të teatrit, Edi Kastrati, organizimi i jubileut të teatrit pritet të mbahet në pjesën e dytë të vitit, në të cilën periudhë mendohet të finalizohet edhe monografia e cila sipas tij, do të përfshijë rreth 100 vitet e punës dhe krijimtarisë teatrore në komunën e Gjakovës.