.
Published On: Tue, Aug 15th, 2017

Teatri i Gjakovës nis punën për shfaqjen “Këngëtarja tullace”

Share This
Tags

Aktorët e Teatrit të qytetit të Gjakovës nisën provat për premierën e re që do të vihet në skenë së shpejti në këtë teatër. Bëhet fjalë për shfaqjen “Këngëtarja tullace” e autorit Eugene Ionesco e që vjen nën regjinë e Agon Myftarit.

Në shfaqjen “Këngëtarja tullace”, regjisori Myftari ka angazhuar aktorët Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Yllka Lota, Vlera Pylla, Ylber Mehmeti dhe Altina Kusari.

Në qendër të komedisë, të cilën vet lonesco e ka cilësuar si antikomedi, janë tre çifte bashkëshortësh, të cilët rastësisht mblidhen në shtëpinë e një mikut të tyre. Dhe mes bisedave me njëri tjetrin merr jetë absurdi i veprës dhe vështirësitë që hasin në komunikim njerëz të së njëjtës kulturë.

“Këngëtarja tullace” është premiera e tretë që po inskenohet në Teatrin e qytetit të Gjakovës nga katër sa janë të planifikuara.

Në pjesën e parë të sezonës, Teatri i Gjakovës ka vënë në skenë shfaqjen “Martir” të autorit gjerman Marius Von Mayenberg, regjinë e së cilës e ka bërë Fatos Berisha.

Ndërkohë, në këtë teatër është inskenuar edhe vepra “Zëra pas skene”, një komedi e autorit Michael Frayn, regjinë e së cilës e bëri Ilir Bokshi.

Ky teatër planifikon që deri në fund të sezonës të realizojë edhe një premierë.

Por në këtë teatër sivjet do të kremtohet përvjetori i 40-të i punës si Teater Profesionist. Me këtë rast përveç organizimit të aktiviteteve për këtë përvjetor, po hartohet edhe një monografi në të cilën do të përfshihet e gjithë puna dhe krijimtaria e këtij teatri të dytë profesional në vend./radiogjakova/