Teatri i Gjakovës shkeli të drejtat autoriale me “Kolonelin zog”
Teatri Profesionist i Gjakovës ka shkelur të drejtat e autorit. Shfaqjen “Koloneli zog” me tekst të Hristo Boychev e ka dhënë pa respektuar ato.
Vetë menaxhmenti i këtij institucioni ka pranuar se në qershor të vitit të kaluar publiku ka duartrokitur premierën e një shfaqjeje me tekst pirat. E me këtë për shfaqjen që i kushtoi 17 mijë euro pritet të përballet me padi. Menaxhmenti i këtij Teatri e ka ditur se është duke vepruar në mënyrë pirate, por nuk është ndalur.
Në ditën e tetë të këtij muaji në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit ka arritur një shkresë e “HB – agency” me seli në Sofje të Bullgarisë. Agjencia që ka të drejtat e autorit për dramën e Boychevit ka paralajmëruar padi ndaj Teatrit Profesionist të Gjakovës dhe ka kërkuar nga MKRS-ja që të marrë masa ndaj veprimit joligjor. Një gjë e tillë dënohet edhe me legjislacionin e Kosovës.
“Ne informojmë miqtë dhe partnerët tanë, që të fillojnë ndjekje penale kundër Edi Kastratit dhe Teatrit Profesionist të Gjakovës – Kosovë. Ky Teatër vodhi tekstin ‘Koloneli zog’ të Hristo Boychevit dhe e shfrytëzoi atë pa lejen tonë”, shkruan në letrën që është firmosur nga Rositsa Lahanova, në cilësinë e drejtoreshës së kësaj agjencie. Në letrën që ka siguruar “Koha Ditore” shkruan se MKRS-ja është informuar si mbështetëse financiare e Teatrit Profesionist të Gjakovës.
Një gjë e tillë dënohet edhe me Ligjin mbi të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta që është miratuar në vitin 2011 nga Kuvendi i Kosovës, duke e zëvendësuar atë të 2004-s.
“Me gjobë prej dy mijë deri në dhjetë mijë euro dënohet personi juridik, nëse në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta”, përcakton pika e parë e nenit 190 të këtij ligji./koha/