Teatri i Gjakovës, vetëm një premierë për 2014-ën
Kriza financiare e Komunës së Gjakovës këtë vit është reflektuar edhe në kulturën e saj, përkatësisht në institucionin më të madh kulturor, Teatrin Profesionist të Gjakovës.
Gjatë viteve të fundit burimi kryesor i ekzistencës së këtij teatri ka qenë Komuna e Gjakovës. Prandaj, në mungesë të përkrahjes nga komuna, ky institucion sivjet nuk ka mundur që të realizojë më shumë se një premierë.
Këtë e ka pranuar edhe drejtori i Teatrit Edi Kastrati, i cili ka thënë se ky ka qenë viti më i dobët në realizimin e projekteve prej se ai ka ardhur në krye të këtij institucioni, katër vjet më parë.
Ai thotë se arsyeja pse është realizuar vetëm një premierë ka qenë mungesa e mjeteve. Premiera e vetme e vitit 2014 në teatrin Profesionist të Gjakovës ka qenë “Koloneli Zog”, me tekst të Hristo Boychevit dhe regji të Erson Zymberit./radiogjakova/