Testi i maturës 2018, në Gjakovë mbahet më 30 Maj dhe 7 Qershor
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tërhoqi shortin për mbajtjen e testit të maturës 2018. Ky vlerësim vjen me një formulë të re të cilën e ka sqaruar ministri Shyqiri Bytyqi.
Risia e parë është se testimi nuk do të mbahet në ditën e njëjtë në tërë Kosovën, por në 4 ditë të ndryshme të ndarë sipas rajoneve. Testi i maturës përbëhet nga dy provime dhe të parit maturantët gjakovarë do t’i nënshtrohen më 30 maj, ndërsa të dytit më 7 qershor.
Pyetjet e provimit do të jenë të ndryshme për rajone të ndryshme. Kështu, vetëm rajoni i Gjakovës dhe ai i Prizrenit do t’i kenë pyetjet e njëjta e rrjedhimisht do të mbajnë provimet ditët e njëjta.
Pragu i kalueshmërisë do të jetë 40%, pra secili maturantë do të duhet t’ju përgjigjet saktë të paktën 80 pyetjeve të cilat do të jenë me alternativa.
Ministri Bytyqi ka kërkuar angazhim maksimal të drejtorive komunale të arsimit, ndërsa shtoi se Komisioni i Maturës do të informojë me kohë të gjithë maturantët me risitë e reja.
Në herët e kaluara nxënësit nuk janë lejuar të kenë me vete celular, ndërsa nga ky vit celularë nuk do të mbajnë as administruesit.
Komisioni i Maturës ka paralajmëruar të gjithë akterët e përfshirë ne testin e maturës së i presin dënime të rënda në rast se tentojnë të bëjnë diçka kundër rregullave./radiogjakova/
Datat e mbajtjes së Testit të Maturës 2018 në afatin e parë:
Ferizaj – Gjilan: 28.05.2018 (dita e parë), 05.06.2018 (dita e dytë)
Prishtinë: 29.05.2018 (dita e parë), 06.06.2018 (dita e dytë)
Prizren – Gjakovë: 30.05.2018 (dita e parë), 07.06.2018 (dita e dytë)
Pejë – Mitrovicë: 31.05.2018 (dita e parë), 08.06.2018 (dita e dytë).