Testi i maturës, në afatin e dytë rreth 200 maturantë gjakovarë
Të hënën filloi paraqitja e provimit për afatin e dytë të testit të maturës në komunën e Gjakovës.
Diana Qarkaxhija, drejtoreshë e Drejtorisë komunale për Arsim, në komunën e Gjakovës tha se janë rreth 200 maturantë të cilët duhet të përsërisin testin e maturës shtetërore nisur nga rezultati i dobët i arritur në afatin e parë.
Pjesa e parë e testit të maturës do të mbahet më 25 gusht në ambientet e Shkollës Fillore “Zekeria Rexha ”, ku maturantët do t’i nënshtrohen testit në 120 pyetje nga lëndët Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe anglisht.
Në anën tjetër edhe pse nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, pjesa e dytë e testit të maturës ishte paralajmëruar për shtator, kjo datë ka ndryshuar dhe dita e dytë e këtij testi do të mbahet me datë 30 gusht. Ky test përmban 80 pyetje sipas lëndëve të drejtimeve përkatëse.
Testi do të monitorohet nga mësimdhënës nga qytete të ndryshme të Kosovës./radiogjakova/