Thaçi premton Akademi Fluturimi në Gjakovë
Gjakovë- Tre shtete të Bashkimit Evropian kanë shprehur interesim që në aeroportin e Gjakovës të hapin një akademi të fluturimit, në të cilën do të trajnohen të rinjët kosovarë por edhe ata të rajonit. Kështu ka njoftuar kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili të preemten e ka vizituar aeroportin e Gjakovës.
“Kemi interesim serioz nga tri shtete të BE-së për hapjen e një akademie të rëndësishme të fluturimit e cila do të operojë në aeroportin e Gjakovës. Kjo pritet të jetë një akademi ndër më të mëdhatë dhe më cilësoret në ballkan, prandaj qeveria e Kosovës në koordinim me qeverinë lokale të Gjakovës, do ta përzgjedhin me kujdes shtetin që do ta fitojë të drejten e hapjes së kësaj akademie”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Ai ka shtuar se kjo akademi qysh në fillim të aktivitetit të saj do të garantojë 100 vende pune, numër ky që do të rritet me kalimin e kohës. Sipas kryeministrit Thaçi, aeroporti i Gjakovës do të jetë shembull i mirë, pasi do të jetë pjesë kryesore e zhvillimit të kësaj komune. “Gjakova ka traditë, ka mundësi dhe ka potencial që të zhvillohet. Ajo që nevoitet është që ky potencial të vihet në jetë e kjo do të arrihet duke punuar bashkarIsht”, ka vazhduar ai.
E lidhur me zhvillimet e e ardhshme rreth aeroportit, kryeministri ka marrë mbështetje edhe nga kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se qeveria e vendit do ta ketë mbështetjen e qeverisë lokale të Gjakovës në secilin vendim në të mirë të aeroportit.
“Ne si komunë jemi gati të bashkëpunojmë me qeverinë e Kosovës në të gjitha hapat e funksionalizimit të aeroportit. Aeroporti si një aset me rëndësi strategjike është një potencial shumë i madh jo vetëm për Gjakovës, por edhe për rajonin, përfshirë këtu Shqipërinë, për një zhvillim të gjithëmbarshëm”, ka thënë Kusari – Lila./zeri/










