“Thirrjet e Nënave” falenderojnë VV-në, fajësojnë Isa Mustafën
Shoqata “Thirrjet e Nënave” përmes një deklarate të orëve të fundit kanë sqaruar opinonin për vendimin që kanë marrë për të mos marrë pjesë në protestën e Vetëvendosjes në Prishtinë që mbahet të martën (nesër).
Nënat e të pagjeturve të Gjakovës kanë falendëruar Vetëvendosjen për mbështetjen, ndërsa nuk e kanë mohuar zgjënjimin që kanë pasur me reagimet, ku sipas tyre, më rëndësi ishte thyerja e xhamave se sa qëllimi i vetë protestës, transmeton Radio Gjakova.info.
“Ne publikisht dëshirojmëtë falenderojmë Lëvizjen Vetëvendosje për përkrahjen e vazhdueshme dhe për ndihmën në realizimin e kërkesave tona. Ndërsa duam të shprehim keqardhjen tonë të thellë në lidhje me realitetin e krijuar pas protestës ku më shumë iu dha rëndësi çmimit të xhamave se sa qëllimit të protestës”, shkruhet në deklaratën e “Thirrjeve të Nënave”.
Tentimi për të gjetur se kush ishte fajtor për thyerjen e xhamave duket se ka qenë arsyeja e largimit të kësaj shoqate nga bashkëorganizimi protestave me Vetëvendosjen. “Debati se anëtarët e cilës parti thyen xhamat devijuan situatën politikisht dhe kjo bëri që ‘Thirrjet e Nënave’ të vazhdojnë të vetme, me mundësitë e veta dhe pa një partner të dytë, drejt kërkesës sonë për shkarkimin e Jabllanoviçit”, vazhdon deklarata.
“Thirrjet e Nënave” kanë akuzuar Isa Mustafën për situatën e krijuar, duke thënë se nuk shkarkoi ministrin Jabllanoviç, përkundër zemërimit të popullit. “Për ne fajtor kryesor për tërë këtë situatë të krijuar është Kryeministri Isa Mustafa, i cili nuk shkarkoi ministrin Jabllanoviç. Kryeministri duhet të japë përgjegjësi për gjithë këtë pakënaqësi të krijuar në popull. Ne apelojmë te Kryeministri Mustafa që të veprojë dhe të shkarkojë Jabllanoviçin sepse populli I tij është fyer”, përfundon deklarata e shoqatës./radiogjakova/