“T’i japim fund dhunës – ta bëjmë jetën mjaltë”
Gjakovë- Në tërë Kosovën ka filluar fushata kundër dhunës gjinore e cila edhe në komunën e Gjakovës do të shënohet me aktivitete të ndryshme të cilat në fokus kanë sensibilizimin e popullatës kundër çfarëdo lloj dhune me theks të posaçëm kundër dhunës ndaj gruas.
Sakibe Doli – Dobruna, drejtoreshë ekzekutive e institucionit “Shtëpia e Sigurtë” për Radio Gjakovën ka thënë se bëhët fjalë për një dukuri të dhimbshme me pasoja të rënda në shoqëri.
“Shumë organizata dhe institucione janë bashkuar kundër dhunës ndaj gruas, por ajo fatkeqsisht vazhdon. Dhuna nuk ka vetëm një viktimë, por edhe fëmijët e të dhunuares, të afërmit, familjen. Sot kemi shumë mekanizma që luftojnë këtë dukuri, por ajo duhet të funksionojë”, u shpreh Doli-Dobruna.
Drejtoresha e “Shtëpisë së Sigurtë” ka thënë se institucioni që drejton ka hartuar një strategji ku ndahen detyrat për secilin institucion tjetër oartner që merret me dhunën ndaj gruas, por kjo strategji, sipas saj, nuk ka filluar së implementuari në mungesë fondesh.
Ndryshe, fushata 16 ditëshe kundër dhunës gjinore në Gjakovë do të nisë të hënën me shpërndarjen e fjongos solidarizuese dhe sensibilizuese për të vazhduar të marten me një aktivitet tek Biblioteka Rajonale “Ibrahim Rugova” në Gjakovë.
Sipas zonjës Doli Dobruna, manifestimet e ndryshme në kuadër të kësaj fushate me moton “T’i japim fund dhunës – ta bëjmë jetën mjaltë”, në komunën e Gjakovës do të intensifikohen pas fushatës së balotazhit për zgjedhjet e 1 dhjetorit./radiogjakova/










