Tiranë, ekspozitë për nder të Qamil Grezdës
Punime të piktorit gjakovar Qamil Grezda janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në një ekspozitë retrospektive të artistit me rastin e 100-vjetorit të lindjes.
Ekspozita e titulluar “Grabitqari i bukurisë së natyrës”, përbëhet kryesisht nga koleksioni i familjes i ruajtur nga i biri Ermir Grezda, por ekspozitës i janë shtuar edhe 12 vepra nga Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve.
I lindur në Gjakovë, Qamil Grezda u transferua në Tiranë në vitet ’20 për shkak të politikës diskriminuese serbo-sllave. Piktura e tij nuk u ekspozua kurrë në vendin e lindjes, një peng të cilin e mori me vete dhe pas ndarjes nga jeta në vitin 1992.
“Mbas Luftës së Kosovës unë kam kuptuar në detaje intimitetin fizik të ketij njeriu pse natë-ditë përfliste Gjakovën dhe Kosovën. Një pjesë e ekspozites është çuar në Kosovë në vitin 2002 . Do të ishte një ëndërr, shpresoj që të bëhet realitet në vitet e mëvonshme”, rrëfen i biri i piktorit, Ermir Grezda.
Grezda shquhet për kreativitet të lartë shprehës, ku dallohen portrete si “Romania”, “Portret plake”, “Portret gruaje”, “Shkodrani” e të tjera. Ai shquhet edhe për pikturimin e figurave historike.
Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen 33 vepra të tij. Dhe, për punë kreative tejet të ravijëzuar, piktori Grezda u shpërblye me shumë shpërblime e me mirënjohje të veçanta.
Ekspozita në nder të artistit mirëpret vizitorët e GKA deri në datën 10 shtator./radiogjakova/