Traktorë “Made in Gjakova”?!
Gjakovë- Fakti se shumë shpejt do ta ketë zonën e lirë ekonomike, duket se ka ndikuar që komuna e Gjakovës të bëhet një lokacion i pëlqyer për shumë kompani të huaja. Janë përfaqësuesit e disa kompanive të tilla që ose kanë kërkuar informacione për mundësitë e investimeve në Gjakovë, ose kanë bërë vizita personalisht në Gjakovë, për t’i parë nga afër këto mundësi.
Interesimin dhe vizitat i ka konfirmuar edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, e cila ka përmendur të paktën tri kompani ndërkombëtare, përfaqësuesit e të cilave e kanë vizituar Gjakovën brenda javës së fundit.
”Janë tri kompani ndërkombëtare, konkretisht një nga Britania e Madhe, një nga Holanda dhe një nga Pakistani, të cilat kanë kërkuar informacione dhe kanë shfaqur interesim që të investojnë në Gjakovë. Bashkë me ta i kemi vizituar ambientet e ish-ndërmarrjeve ‘Metaliku’ dhe ‘Jatex’, fusha në të cilat veprojnë këto kompani”, ka thënë Kusari-Lila.
Bëhet e ditur se njëra prej këtyre kompanive, e cila ka gjasa reale ta fillojë aktivitetin prodhues në Gjakovë është “Omni Group” nga Pakistani, kompani kjo e njohur në botë për prodhimin e makinerisë bujqësore.
“Me përfaqësuesit e kësaj kompanie e kemi vizituar ndërmarrjen “Metaliku”, sepse përfaqësuesit e kësaj ndërmarrje janë seriozisht të interesuara që në Gjakovë të fillojnë me linjën e prodhimit dhe montimit të traktorëve”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo nuk ka dashur të japë më shumë informacione, sepse, sipas saj, është me rëndësi që fillimisht të zgjidhen çështjet pronësoro-juridike që lidhen me ndërmarrjen “Metaliku”, pasi që dihet se çështja e statusit të kësaj ndërmarrjeje është në procedurë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.
“Na mbetet që fillimisht t’i marrim detalet e interesimit të investitorit pakistanez dhe pas kësaj të bëjmë bisedë me përfaqësuesit e punëtorëve, përkatësisht aksionarët e ndërmarrjes e gjithashtu rastin ta ngremë edhe në nivel të Qeverisë së Kosovës dhe AKP-së”, ka thënë Kusari-Lila. /zeri/