Transporti i nxënësve, pritet hapja e 28 linjave të tjera
Prej javës së tretë të dhjetorit pritet që të sigurohet transporti edhe për qindra nxënës të tjerë të cilët janë të detyruar të udhëtojnë mbi 2 kilometra për të shkuar në shkollë.
Ky transport i planifikuar qysh në muajt korrik e gusht, gjatë fazës së parë kishte arritur të kalojë vetëm 18 linja, të cilat kanë filluar me bartjen e nxënësve nga java e tretë e shtatorit.
Ndërsa, për pjesën tjetër që janë edhe 30 linja të tjera Drejtoria e Arsimit është detyruar të presë afatet ankimore dhe pas asaj faze kishin rishpallur tenderin që është mbyllur më 23 nëntor.
Para pak ditësh është bërë vlerësimi i të gjithë linjave dhe rezultojnë se 28 linja janë valide dhe do të fillojnë në afatin ligjor brenda 10 dite prej ditës së publikimit, që i bie gjatë javës së tretë të këtij muaji.
Mirëpo, tenderi duhet të përsëritet edhe njëherë edhe për 2 linja të tjera ku për shkak të numrit të ulët të nxënësve nuk ka pasur operatorë të interesuar për të konkurruar, saktësisht kjo problematikë është në fshatin Netic-Cërmjan dhe në fshatin Bardhaniq.
Komuna e Gjakovës siguron transportin për 2000 fëmijë, ndërsa kostoja vjetore e saj është 300 mijë euro./radiogjakova/