U shënua 102 vjetori i çlirimit të Shkupit.
Kontributi i Gjakovës në çlirimin e Shkupit dhe shënimi i 12 gushtit 1912 kanë qenë tema të tryezës që u organizua në Shkup me organizim të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Shoqatës për art e kulturë ”Sofra gjakovare e Shkupit” dhe komuna e Çairit.
Delegacionit të Gjakovës i kanë prirë Diana Qarkaxhija, drejtoreshë e Arsimit dhe Masar Rizvanolli, kryetar i shoqatës së intelektualëve “Jakova”. Manifestimin e shpalli të hapur Izet Megjiti, kryetar i komunës së Çairit, i cili tha se Shkupi mbetet si një nga tri qendrat kryesore të shqiptare andaj këto data historike na shërbejnë edhe për frymëzim për një perspektivë më të mirë të të gjithë neve si komb. Në sallën e Komunës së Çairit në Shkup, u mbajt tribuna me ligjërues Prof.Dr. Masar Rizvanolli, në temën: “Kontributi i trevës së Gjakovës në Kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912”.
Rizvanolli, theksoi se Kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912, ka filluar në mars të vitit 1912, pikërisht në Gjakovë, dhe kulmoi me çlirimin e Shkupit në muajin gusht. Sipas tij, figura të mëdha kombëtare nga Gjakova, të cilat duhet edhe më tej të studiohen, janë Bajram Daklani, i cili ngriti në Shkup flamurin e pavarësisë, dhe Bajram Curri, si një nga strategët kryesorë të kryengritjes, bashkë me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe të tjerë.
Në emër të kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tribunën e përshëndeti Dijana Qakaxhiu e cila tha se ne si Gjakovë, shpesh jemi mburrur për paraardhësit tanë, si patriot dhe kontribuues kombëtar në të gjitha etapat e saja, përfshirë edhe luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së.
Kurse, historiani nga Shkupi Prof.Dr. Nebi Dervishi, theksoi se shumë familje të njohura gjakovare, historikisht kanë vepruar në Shkup, si qendër e Vilajetit të Kosovës. Me këtë rast u organizua edhe një program kulturo artistik ku morën pjesë këngëtarë e instrumentistë nga Gjakova e Shkupi./radiogjakova/