Universiteti “Fehmi Agani” kremton njëvjetorin e themelimit
Gjakovë- Universiteti publik “ Fehmi Agani” në Gjakovë kremtoi njëvjetorin e themelimit. Kjo ditë dhe ky manifestim, që rastisi më 7 mars, në Ditën e Mësuesit, tubojë krerët më të lartë të Qeverisë së Kosovës, të Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, personalitete të jetës shoqërore, politike e fetare.
Dekani i UP “Fehmi Agani”, Bajram Nura duke folur për rëndësinë e themelimit të këtij institucioni të lartë të dijës dhe shkencës ka theksuar se universiteti që drejton do të krijojë kuadro të përgatitura shkencorë, për arsim shëndetësi, ekonomi, administrata si dhe fusha tjera përmes të cilave Kosova por edhe rajoni do të rrisë aftësitë konkurruese, nivelin e arsimit si dhe aspektet tjera.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës, Ramë Buja ka shprehur me emocione faktin e themelimit të këtij universiteti. “Sikur të ishte në jetë i ndjeri akademik Fehmi Agani, dhe ta pyesnim se ku dëshiron të ketë një universitet, pa dyshim se do të thoshte në Gjakovë. Universiteti për të cilin jemi tubuar në njëvjetorin e tij, lindi në një vatër të dijës dhe shkencës me traditë siç është Gjakova”, tha ai.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se pas vendimit për themelimin e UGJ-së kishte zëra skeptik dhe të rezervuar për fatin e këtij institucioni, por të arriturat e tij janë fakte se paskemi pas të drejtë të vendosim që Gjakova të ketë universitetin, me emrin e strategut vizionarit intelektualit të urtit të guximshmit dhe të pavdekshmit akademik Fehmi Agani.
“Personalisht kamë besuar se suksesi në këtë institucion arsimor në Gjakovë nuk do të mungojë, sikur që kam pasur besim në akademikun Fehmi Agani, ashtu kamë besim që emri i tij, puna e angazhimi në rrjedhat e çështjes së Kosovës do t’i japë energji të shëndosh studentëve dhe pedagogëve në arritjen e dijës dhe shkencë”, tha numri një i Qeverisë së Kosovës.
Kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, është shprehur e nderuar në këtë manifestim dhe tha se është nderi veçantë që këtë ditë të përurojnë objektin e UGJ-së. “Në universitetin “ Fehmi Agani”, këtu, në këtë vend shpresohet të studiojnë djem e vajza nga të gjitha trojet shqiptare. Patriotizëm kulmor tash për tash në këtë kohë është vetëm dija. Ky universitet i dedikohet, studentëve dhe familjarëve si dhe gjithë qytetarëve të komunës së Gjakovës, komunave të Malësisë së Gjakovës, Tropojë, Bajram Curri, Golaj e shumë lokaliteteve të banuara në këtë rajon. Këtu do të krijohet njeriu i ditur për Kosovën, dhe këtë e besoj me sigurinë time se ky institucion do ta bëj gjithçka që nevojitet për profesionalizimin e rinisë tonë”, tha ajo./radiogjakova/










