.
Published On: Thu, Nov 14th, 2013

Ura e Rakovinës, shoferët vazhdojnë me avazin e vjetër

Share This
Tags

ura-fsk-1Gjakovë- Angazhimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët 4 muaj më parë montuan urën provizore mbi lumin Drini, në fshatin Rakovinë, duket se ka qenë i kotë.

Edhe pas katër muajve, ura provizore po vazhdon të përdoret fare pak, ndërsa i tërë qarkullimi po bëhet mbi urën e vjetër e të dëmtuar, e cila realisht tashmë duhej të ishte e mbyllur, për faktin se paraqet rrezik të madh për të gjithë ata që kalojnë mbi të.

Këtë e dëshmojnë vet banorët e asaj pjese, të cilët për radion tonë kanë treguar se përveç autobusëve, pothuajse të gjitha veturat tjera po kalojnë mbi urën e dëmtuar. Banorët thonë se përpos shoferëve të pandërgjegjshëm, fajin kryesor e bartin edhe përgjegjësit në Policinë e Kosovës, të cilët asnjëherë nuk shihen duke patrulluar në atë pjesë.

Ndërkohë, faji në këtë mes nuk mund të largohet as nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët tash e sa muaj duket se po dështojnë ta bëjnë rregullimin e urës së dëmtuar.

Ndonëse kontakti me zyrtarët e kësaj ministrie është i pamundur, burime të ndryshme tregojnë se kjo ministri po dështon të hapë tenderin për përzgjedhjen e kompanisë që do ta ndërtojë urën e re, pasi sipas ekspertëve rregullimi i urës së dëmtuar gati që është mision i pamundur./radiogjakova/