Urbanizmi, sfidë në vete për Komunën
Gjakovë- Krahas zhvillimit ekonomik dhe vendeve të punës, padyshim që edhe urbanizmi mbetet njëra ndër sfidat kryesore për qeverinë e re të Gjakovës.
I ballafaquar me shumë probleme, përfshirë këtu ndërtimet pa leje dhe prishjet e planeve rregulluese e urbane, këtij sektori i nevoitet shumë punë për kthimin e gjendjes në normalitet.
Për këtë është i vetdijshëm edhe drejtori i ri i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor Xhelal Hoxha. Megjithatë, ai ka thënë se më shumë se me të kaluaren, ai dhe stafi i tij do të mirren me të ardhmen dhe me përmisimin e gjendjes urbanistike.
Hoxha ka premtuar se puna e tij do të mbështetet në ndërshmëri dhe respektim maksimal të ligjit, elemente të cilat janë mjaft të rëndësishme dhe jetike në këtë periudhë. Drejtori Hoxha ka bërë të ditur se fillimisht do të bëhet kërkesë për legalizim të të gjithë objekteve pa leje, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe të shqyrtimit të mundësive për rrënim të disa prej këtyre objekteve.
Hoxha ka premtuar rritje të bashkëpunimit ndër institucional edhe me faktorë tjerë siç është edhe inspeksioni, ndërsa ndër projektet e para që ka përmendur ka qenë ai për planin rregulllues të Shkugëzes, plan i cili do ta mbronte këtë lokacion nga degradimi që i ka ndodhur deri me tani./radiogjakova/