Veteranët e luftës së UÇK-së mbajnë takim në Gjakovë
Gjakovë- Veteranët e luftës së UÇK-së nga komuna e Gjakovës, kanë mbajtur një takim të përbashkët, në të cilin prezent ka qenë edhe Muharrem Xhemajli, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Sadri Hoxha, kryetar i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së në komunën e Gjakovës.
Në këtë takim u diskutua mbi një sërë temsh, por fokusi kryesor ishte tek gjendja aktuale e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe miratimi i ligjit për këtë kategori të shoqërisë sonë.
Duke folur para veteranëve të Gjakovës kryetari Muharrem Xhemajli tha se nëse Parlamenti i Kosovës nuk e miraton Ligjin për këtë kategori deri me 10 mars, atëherë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të detyrohet që t’i përdorë të gjitha metodat që parashihen në statutin e kësaj organizate, duke filluar nga protesta, demostratat, mos dëgjueshmëria qytetare, bllokimi i rrugëve e deri tek bllokimi i Parlamentit dhe Qeverisë.
E për tu arritur ky synim, Xhemajli ka kërkuar përkrahje nga të gjithë veteranët e luftës, sepse, siç ka thënë ai, vetëm të bashkuar do të jenë më të fuqishëm në kërkimin e të drejtave të tyre./radiogjakova/