.
Published On: Tue, Mar 6th, 2018

Veteranët e UÇK-së bëjnë homazhe në Gjakovë

Share This
Tags

Për të nderuar veprën dhe sakrificën e komandantit Adem Jashari, familjes së tij dhe të rënëve të tjerë, homazhe kanë bërë edhe Dega e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjakovë.

Përfaqësues të kësaj organizate si dhe veteranë e familjarë të dëshmorëve fillimisht nderuan të rënët tek memoriali “Shokët e Lirisë” në parkun e qytetit.

Kryetari i degës, Sadri Hoxha, tha se muaji mars ka qenë muaj i lavdishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se humbja e komandantit Adem Jashari dhe të tjerëve në fillim të marsit të vitit 1998 frymëzoi dhe mobilizoi të gjithë ushtarët në luftën kundër okupatorëve serbë.

Veteranët e luftës në Gjakovë homazhe kanë bërë edhe në Kompleksin memorial në Shqiponjë, pastaj në Hereq, tek shtatorja e heroit Agron Rama, në varrezat e qytetit, tek lapidari i dëshmorëve në Ponoshec si dhe tek kompleksi memorial në Koshare./radiogjakova/