Veturat në trotuar e këmbësorët në rrugë
Këmbësorët vazhdojnë të jenë më të rrezikuarit në trafik. Parkimi i veturave në trotuar i detyron ata që të ecin në rrugë e kështu të përballen me rrezikun nga makinat apo mjetet e tjera.
Akoma më të vështirë e kanë personat me aftësi të kufizuara. Brilanda Ballata nga shoqata “Handakos” këtë shqetësim e ngriti në mbledhjen e fundit të Këshillit për Siguri ku kërkoi që të merren masa dhe të largohen veturat nga trotuaret.
Sipas saj, ata që kanë makina mund të përballojnë edhe pagesën për parking në vende adekuate.
Zyrtarë në Stacionin Policor në Gjakovë thonë se në vazhdimësi kryejnë plane operative për të ndëshkuar drejtuesit që parkojnë në vende të papërshtatshme, por problem është mungesa e parkingjeve. Sipas tyre, parkingjet aktualet nuk mjaftojnë për të mbuluar kërkesat.
Edhe në Komunën e Gjakovës pajtohen se mungesa e parkingjeve është një problem.
Kryetari Gjini deklaroi se po punojnë për zgjidhje afatgjate, ndërsa qytetarët së shpejti do të shohin veprime konkrete.
Sipas tij, fillimisht problemi i parkingjeve do të rregullohet në dy-tre zona në qytet, ndërsa më pas do të veprohet në zona të tjera por për ta zgjidhur tërësisht këtë problem kërkohet kohë./radiogjakova/