Vidhen ditarët në shkollën “Mazllum Këpuska”
Persona, tash për tash ende të panjohur, kanë hyrë me dhunë në objektet e shkollës fillore “Mazllum Këpuska” në Gjakovë dhe kanë vjedhur nga aty disa ditarë të kësaj shkolle. Ngjarja ka ndodhur natën mes të enjten dhe të premtes.
Zyrtarët e shkollës nuk kanë pranuar të flasin shumë për këtë vjedhje, megjithatë Nasire Xharavina, ushtruese e detyrës së drejtorit të kësaj shkolle e ka konfirmuar rastin. Ajo ka bërë të ditur se janë vjedhur 8 ditarë ndërsa ka pasur edhe dëmtime tjera brenda objektit.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe drejtoresha komunale e arsimit Diana Çarkagjija, e cila ka thënë se drejtoria komunale e arsimit dhe menaxhmenti i shkollës menjëherë e kanë njoftuar policinë dhe është policia ajo që tashmë po merret me këtë ngjarje. Nga ana tjetër, komandanti i stacionit policor në Gjakovë Kristë Gjokaj ka thënë se janë duke u marrë intensivisht me këtë ngjarje.
Ai ka bërë të ditur se policia ka disa pista të hetimeve dhe ka shprehur bindjen e tij se rasti do të ndriçohet shumë shpejtë. Sipas informacioneve të para, mësohet se personat që e kanë kryer vjedhjen e ditarëve dhe demolimin e objektit shkollor janë xhiruar nga kamerat e sigurisë së shkollës. Megjithatë, të njëjtit kanë qenë të maskuar, gjë që e vështirëson identifikimin e menjëhershëm të tyre./radiogjakova/