.
Published On: Fri, Mar 16th, 2018

Vihet gurthemeli i Qendrës Kulturore në Rogovë

Share This
Tags

Pasditen e së premtes në Rogovë u vu gurthemeli i Qendrës së Kulturës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kryetari Ardian Gjini dhe zëvendësministra e zyrtarë të jerm të lartë lokalë e qendrorë.

Ministri Gashi tha se ky është vetëm fillimi i investimeve për Gjakovën në fushën e kulturës, rinisë e sportit. Ai tha se me këtë investim po ia rikthejnë Rogovës dinjitetin duke pasur parasysh traditën e këtij fshati.

“Mbetemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë ngushtë me gjitha komunat e Kosovës, dhe t’i ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës në kulturë, rini dhe sport, sepse kështu krijohen mundësi dhe kushte të volitshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore”, ka premtuar ministri.

Kryetari Ardian Gjini tha se ndërtimi i Qendrës së Kulturës është një dëshirë e vjetër e rogovasve e cila sot po bëhet realitet. Ai falënderoi Ministrinë e Kulturës për këtë investim ndërsa theksoi se pas shumë vitesh qeveria qendrore ka kthyer sytë nga Gjakova.

“Është një projekt që ka qëndruar në sirtar për një kohë të gjatë, i ka ardhur radha edhe këtij projekti dhe unë jam shumë i lumtur si kryetar i komunës…Është një projekt që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën kulturore, por jo vetëm në jetën kulturore në Rogovë të Hasit dhe në fshatrat për rreth”, tha ai.

Më të lumturit padyshim ishin banorët e fshatit Rogovë. Ymer Berisha tha se po e presin prej kohësh këtë qendër të kulturës.

Për ndërtimin e Qendrës Kulturore, Ministria e Kulturës do të investojë 1.2 milionë euro në një periudhë dyvjeçare, 500 mijë euro për këtë vit, ndërsa 700 mijë euro për vitin 2019./radiogjakova/