VV takim me banorët e fshatit Hereq
Gjakovë- Në kuadër të vizitave të vazhdueshme që Lëvizja Vetëvendosje po i bën nëpër lagjet dhe fshatrat e komunës së Gjakovës, zyrtarë të saj së fundmi e kanë zhvilluar edhe një takim me banorët e fshatit Hereq.
Në takim morën pjesë asamblistja nga Kuvendi Komunal, Arbërie Nagavci, anëtari i grupit punues të Qendrës së Gjakovës Tuha Qurdina dhe koordinatori i këtij grupi punues Driton Çaushi.
Zhvillimet e fundit politike e ekonomike në nivelin qendror dhe lokal ishin temat që u diskutuan përgjatë këtij takimi. U ngrit nevoja për angazhim sa më të madh qytetar si e vetmja rrugë për ndryshime pozitive si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.
Në takim u konstatua se situata në këtë fshat nuk dallon shumë nga situata e përgjithshme në Kosovë. Edhe në këtë fshat papunësia është problemi kryesor për banorët. Ka nevojë për investime në secilin sektor e sidomos në bujqësi./radiogjakova/