.
Published On: Sat, Jun 9th, 2018

Yllka Lota, pjesë e “The Great African Caravan”

Share This
Tags

Aktorja Yllka Lota është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Kësaj radhe jo për ndonjë angazhim të sajin teatror, por për faktin se është përzgjedhur si një nga 8 artistet për projektin madhor “The Great African Caravan” i cili organizohet nga “Art Caravan” dhe “Project Eklok”.

“The Great African Caravan” është një udhëtim 200 ditor i 8 artistëve nga India, Gjermania, Argjentina, Britania, Uganda, dhe Kosova që udhëtojnë përmes rrugës nga Cape Town deri në Kajro për të promovuar artin, turizmin, shkëmbimin kulturor dhe paqen e qëndrueshme. Lota është e vetmja e përzgjedhur jo vetëm nga Kosova, por nga i gjithë Ballkani.

Ajo është shprehur shumë e lumtur që është bërë pjesë e një projekti të tillë. “Më duket si ëndërr të cilën mezi po pres ta jetoj. Falë disa bashkëpunimeve me të rinj në Francë, më erdhi ftesa të bëhem pjesë e ‘Karvanit…’. E pranova menjëherë sepse më pëlqeu ideja dhe qëllimi për të cilin realizohet”, u shpreh Yllka.

Artistët po bashkëpunojnë me mbi 100 artistë në të gjithë kontinentin afrikan në bashkëpunim me Iniciativën e Paqes së Artistëve Afrikanë për të krijuar grafita muri, stripa, muzikë, teatër dhe punëtori për të rinjtë në 12 vendet që karvani pritet të udhëtojë. Të 12 vendet nga do të kalojë “Karvani…” janë: Afrika e Jugut, Mozambiku, Zimbabve, Zambia, Malaui, Ruanda, Tanzania, Kenia, Uganda, Etiopia, Sudani dhe Egjipti. Yllka do të jetë e përfshirë në të gjitha aktivitetet, por kontributi i saj do të përqendrohet më tepër në punëtoritë për teatrin. “Do të angazhohem në punëtoritë e teatrit pasi aty jam e kualifikuar. Po ashtu në çdo vend që do të jemi do të japim një shfaqje së bashku me aktorë lokalë në gjuhën angleze. Megjithatë nuk është vetëm teatër, gjithashtu do të realizohen tri filma dokumentarë për të treguar mbi udhëtimin tonë dhe problemet në këto vende, ku në njërin prej këtyre filmave do të jem protagoniste”, vijoi Yllka.

Ajo duhet të niset në muajin korrik dhe të kthehet nga muaji mars i vitit të ardhshëm. “Duhet të nisem nga data 10 korrik drejt Afrikës së Jugut ku për më shumë se një muaj do të duhet të përgatitemi për aktivitetet që do të mbahen gjatë ‘Karvanit…’”, tregon Yllka, por që i gjithë angazhimi i saj nuk është se po kalon pa sfida.

“Aktualisht kam probleme me vizën në Afrikën e Jugut. Mua më kthyen përgjigje negative dhe nuk e di përse. Jam duke luftuar me kohën që të rregullojmë gjithçka para afatit”, vijon Lota që tregon se cili mund të jetë skenari më i keq në këtë rast. “Nëse nuk me jepet viza, atëherë ky projekt për mua nis në muajin shtator nga shteti pasardhës pas Afrikës së Jugut, që i bie nga Mozambiku”, shprehet Yllka që lutet që problemet me vizën t’i zgjidhë sa më shpejtë. Personalisht, ajo po pret që të fitojë shumë nga ky projekt. “Jam vërtet e emocionuar sepse po pres të mësoj më shumë për kulturën e disa vendeve që për ne janë shumë të largëta. Besoj që kur të kthehem, përpos përvojës, mund të ndryshojë mendim për kulturën dhe njerëzit atje. Nuk dua të mbetem si një artiste lokale, por dua që të kontribuoj edhe në vende të tjera”, tha ajo.

Pavarësisht se aktivitetet do të jenë 200 ditë, përgatitjet kërkojnë që ajo të jetë larg shtëpisë më shumë se kaq. “Ndjesi e çuditshme të jesh për një kohë kaq të gjatë larg njerëzve që i njeh, jo vetëm familjarë. Në Afrikë ka probleme me internetin, por uroj të kontaktoj të paktën një herë në muaj”, thotë ajo duke qeshur.

Madje, ajo e di se ku do të kalojë edhe ditëlindjen e Vitin e Ri. “Për ditëlindje do të jem në Sudan, ndërsa Vitin e Ri në Kenia”, tregon Lota. Ky projekt unik që realizohet për herë të parë është duke përfshirë organet e OKB-së, organet e Komonuelthit dhe mbi 50 institucione e organizata të ndryshme.