.
Published On: Sat, Mar 29th, 2014

Zekiria Cana, figurë madhore e shkencës dhe kulturës shqiptare

Share This
Tags

zekiria-canaNë 80- vjetorin e lindjes/

Nga: Isa Halilaj/ studiues, “Mësues i merituar”/

 1.U bënë katër vjet, qëkur na mungon një prej figurave madhore të historiografisë shqiptare, prof.dr. Zekiria Cana. (Në gjallje, i takon 80- vjetori i lindjes, 15 mars 2014). Për figura të tilla, me të drejtë, themi se me veprën  e punen e tyre mbetën të gjallë e në jetë, si udhërrëfyes dhe edukatorë  të Idealit Kombëtar.

Zekiria Cana është vlerësuar një nga korifenjtë e historianëve për Kosovën e Shqipërinë dhe e ka vendin e nderit, me meritë, në Panteonin e Shkencës dhe Kulturës Kombëtare Shqiptare. Si lis i madh ka bërë hije të freskët jo vetëm për një fis, në Gjakovë e Kosovë, po për mbarë popullin e Kombin Shqiptar. Prandaj përkujtohet me nderim e respekt në të gjithë hapsirën mbarëhqiptare, në këtë 80- vjetor të lindjës

së tij. Para veprës kësaj figure përulemi me respekt, duke kujtuar mësimet e vlerësimet, që i ka bërë historisë së popullit shqiptar,  me porosinë e madhe: “Mos harroni kurrë se jeni Shqiptarë. Duajeni me shpirt e zemër Lirinë dhe Pavarësinë e Kombit Shqiptar! ”

U lind në Gjakovë, më 15 mars 1934. U arsimua aty, deri me Normalen për mësues dhe pastaj në Universitetin e Beogradit, në Fakultetin e Historisë e Filozofisë. Qëkurse ishte mësues, në Deçan e Irzniq, filloi të shkruajë e bashkëpunojë me shtypin e kohës, si “Përpjekja”, “Rilindja”, “Përparimi”, “Gjurmime Albanologjike”, “Flaka” etj. U nda nga jeta, me 11 Janar 2010, pas një pune dhe veprimtarie të shumanshme, atdhetare e shkencore.

Veprimtaria shkencore e prof. Canës është e gjërë dhe e shumanshme, për kulturën kombëtare. Punoi mbi 40 vjet në Institutin Albanologjik, duke u bërë shembull për objektivitet në studimin e historisë së popullit shqiptar, si vlerë kombëtare e ndërkombëtare, duke u bërë edhe mësues e udhëheqës shkencor për punonjësit e rinj shkencorë.

Që nga 1962, veç punës në Institut  e Arkivin Shtetëror të Prishtinës, i është kushtuar me themel studimit të “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë”, më 1909-1912 dhe qëndrimin serb ndaj saj, me të cilën me 1975 mbrojti tezën e magjistraturës. E në vitin 1984, mbrojti disertacionin “Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare, 1903- 1914”, duke u bërë shembull për një punë cilësore e me vlera shkencore. Me argumente, hodhi poshtë manipulimet e historigrafisë shoviniste serbe.

Në bibliografinë e tij numërohen mbi 15 vepra të vecanta dhe qindra artikuj, referate e kumtesa shkencore, të mbajtura ne Kosovë, Shqipëri, Shkup- Tetovë, Ulqin- Plavë, në gjithë hapësirën shqiptare dhe disa vende në Europë e Amerikë, i mirëpritur e respektuar mediatikisht.

Prof. Z.Cana, fatin e vet e lidhi me atë të popullit tonë, brenda e jashtë kufijve. Studimet e tija janë konsultuar me masën e studiuesve e të lexuesve, ato kanë qenë dhe mbeten udherrëfyese për gjykim e veprim në realizimin e idealit kombëtar. Me këtë, theksojmë se 60 vjet të punës së tij aktive për çështjen kombëtare shqiptare, provojnë e duhet vlerësuar se në themelet e Kosovës së pavarur është dukshëm edhe ndihmesa e këtij burri të madh e të ditur.

Që në fillimet e jetës djaloshare e studentore, ai e ndjeu peshën e rëndë të pushtimit kolonial sllavo- serb dhe asnjëherë nuk e uli kokën. Është nga të parët intelektualë, që e ngriti zërin kundër dhunës titiste. Vlerësoi drejt luftën ilegale, me atë të drejtperdrejtë, duke hedhur tej përpjekjet për “pafajsi” në gjyqet e kohës, që çvlerësonin objektin dhe paraqitjen trimërore të heronjëve të kohës. Ai deklaroi me guxim: “Po, Adem Demaçi është kundër regjimit jugosllav të Tito- Rankoviçit dhe për të drejtën e bashkimit të Kosmetit më Shqipërinë…kjo me plebishit ose me luftë…”. Në përkrahje të këtyre deklarimeve, ai pati pasojat e përndjekjes, izolimit e të pushimit nga puna, në periudha të ndryshme, se njohu veprën heroike të Mandelës së Kosovës, Adem Demaçit e Ukshin Hotit dhe admiroi përjetë Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin, Hashim Thaçin, Arbër Xhaferin, Ali Ahmetin e tjerë.

Me guxim e trimëri, profesor Cana demaskoi vrasjet kriminale të ushtarëve shqiptarë në Armatën Jugusllave. Varrimet madhështore të këtyre bijëve të kosovës, shoqëruar me fjalimet e Profesorit, u kthyen në një manifestim të fuqishëm të tubimeve të mëdha, me një organizim të vetëdijshëm të Kosovës për qendresë të palëkundur, kundër regjimit serbo-sllav, efektet e së cilës nuk do të vononin të shfaqëshin, në organizimin e luftës se UÇK-së, në vitet ’90-të të shekullit të kaluar.

Mbledhjet popullore, për pajtimin e gjakamarrjes në Kosovë, organizuar nga studentët dhe menaxhuar me mjeshtëri e trimëri ngaAnton Çetta e Zekiria Cana me shokë, e kanë pergatitur popullin e Kosovës për “dasmën e madhe të Lirisë”. Janë historike tubimet dhjetramijëshe, në Kuvendet e Pajtimit të Gjaqeve te  Verrat e Llukës, Gjanaj, Lezhan, Likoshan, Çirez e Prekaz dhe shtërgimi i duarve paqësisht, mes familjarëve. Ato janë ndihmesë e jashtëzakonshëme e njësimit për bashkimin kombetar, që dha Profesor Cana, fjala e të cilit ushqej besë, nder , urtësi dhe, bashkë me Anton Çetën, zgjuan ndërgjegjen kombëtare për Kosovën e Lirë e Demokratike. “Kosovës i nevojitet, – thoshte Profesori, – bashkimi në një Besë, në një Fjalë, në një Flamur, në një Front e në një Sofër të bashkimit mbarëkombëtar”. Më këtë moto të tij, u ngrohën zemrat për pajtim dhe u ndezën zemrat për luftim.

Si edukator e mik i ngushtë i studentëve, punëtorëve dhe fshatarëve kosovarë, Zekiria Cana gjithëherë u gjend në radhët e para të demostratave antiserbe, duke luftuar me guxim për lirinë e të drejtave të njëriut, në demaskimin e dhunës e terrorit shtetëror e gjenocidit serb kundër shqiptarëve.  Ai qe njeri i mendimit dhe veprimit atdhetar, që gjithë punën dhe veprimtarinë e tij shkencore e vuri në  shërbim të atdheut, të njohjes dhe zgjidhjes se problemeve, si të Kosovës dhe të Shqipërisë.

2.

Më ka takuar që të njihem herët me këtë Profesor atdhetar, jo vëtëm në Kukës, Lumë, Has e Tropojë, që para viteve ’90-të të shekullit të kaluar, po më vonë edhe në Prizëren, Gjakovë e Prishtinë. Dhe, si studiues, kemi përfituar mjaft preje tij, në biseda e takime, si dhe nga veprat e tija shkencore e kulturore, që ëjanë të pranishme në bibliotekat tona. Me zonën e Kukësit, me lidhje historike e vllazërore, pati një interesim të veçantë e dha ndihmë konkrete për studimin e qëndresës luftarake, veçanërisht në vitet 1908-1913, si të kryengritjeve antiosmane, të Betejës së Lumës, me 1912 si dhe për pasojat e masakrimit të pashembullt, që ushtria serbe bëri në këto anë, me 1913.

Ndryshe nga shkenctarët teoricienë të historisë, profesor Cana u muar më mirë se kushdo tjetër me aktualitetin historik të Kosovës. Për këtë, pa u futur në analizën e gjithë botime të tija, shikoni veprat “Shpalime historike- 83, 98”, “Ditari i Luftës -99” ,“Ditari i Robërisë 1 e 2, Prishtine 1999” ose “Apeli i 215 i intelektualeve shqiptare, 2001”.

Në “Ditari i Robërisë, 1 e 2”, për periudhën 10-vjeçare (1989-1998) do të gjeni vlerësime me një tematikë të zgjeruar, si p.sh. “Kur vritet Besa”, “Ramiz Alisë i kërkon lirimin e të burgosurve politikë”, “Për Berishën: 4 vërejtje themelore për qartësi…dhe je President i Kombit, s’ka Shqipëri pa Kosovën”, “Lokalpatriotizmi, rrezik intelektual, në Shqiperi e Kosovë”, “Gegëzimi i gjuhës letrare hap hendekun Veri-Jug, Toskë- Gegë”, “Takim me Ibrahim Rugovën”, “8 ditët e përmbysjes së madhe në Shqipëri, 7 mars 1997” ose “Shteti pa ushtri”, “Shkatërrim e rremujë ”, “Radio Kukësit i vihet dryni”, “Drenica në luftë”, “Një Komb, një qëndrim”, “Ç’bën Bukoshi?”,”Bisedë me Jakup Krasniqin”, “Riçard Hollbruk, në Junik”, “në Malishevë i pritet fjala Zekir Canës, e saboton LDK për deputetët”, Emisioni “Krushqit e pajtimit, në TVSh”, “Vrasja e Azem Hajdarit në errësirë”, “Sofra është më e fortë se pushka”, “Protestë në Rambuje etj” dhe vazhdon me UÇK-në, NATO-n dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve. Vend qëndror zënë edhe ngjarjet në Shqipëri, takimet e tij me Mejdanin, Majkon, Berishën, Goden etj.

Në flakën e luftës së UÇK-së, profesor Cana gjedet bashkë me popullin kryengritës në front dhe i bie pash më pash Kosovës e Shqipërisë, si kalorësi i vërtetë i lirisë. Jetën, veprën, motivimin atdhetar të tija do ta dëshironte gjithkush. Ai ishte dhe mbetet një autoritet absolut në fushën e historiografisë, përkrah figurave të shquara të kësaj fushe në Kosovë, si Ali Hadri, Rexhep Qosja, Pajazit Nushi, Mark Krasniqi, Zef Mirdita, Xheladin Shala, Jusuf Bajraktari, Sali Bashata e tjerë.

Me shembullin e tij ai, ai na mëson se si të bëhemi sa më të dobishëm për Atdheun, shoqërinë dhe familjen. Ai e çmonte shumë brezin e ri, vitalitetin dhe energjitë e tija dhe, tek arsimimi e shkolla, shikonte shëndoshjen e Kombit.

Të thuash për të, se ishte njeri i ditur, është pak, pa u njohur me veprën e tij, shkencëtar e njeri i mendimit dhe veprimit atdhetar në vite, pa njohur stilin e fuqishëm të komunikimit mjeshtëror të bisedës me moshat e ndryshme etj.

Veprat, përkthimet dhe botime e temat shkencore të prof. Zekiria Canës e pasurojnë fondin e historiografisë shqiptare, në përgjithësi dhe të asaj kosovare, në veçanti. Meriton nderim dhe vlerësim, emri i këtij qiriri të pashuar të kulturës mbarëkombëtare shqiptare.

Tiranë, mars 2014