Zgjedhjet e brendshme në VV, Çaushi shpall kandidaturën për kryetar
Kreu i Qendrës së Vetëvendosjes në Gjakovë, Driton Çaushi, shpalli kandidaturën për kryetar komune në zgjedhjet e brendshme të këtij subjekti politik.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Çaushi tha se ndryshimi i vërtetë që po ndodh në Kosovë, së shpejti do të prek edhe komunën e Gjakovës.
“Mbështetja e madhe e qytetarëve dhe nevoja e domosdoshme për ndryshime të vërteta në komunën tonë, janë për mua dhe aktivistët e Lëvizjes obligim i paanashkalueshëm që të përpiqemi me të gjitha forcat tona që Gjakovës t’ia kthejmë madhështinë”, shkroi Çaushi.
Edhe pse i duhet të marrë bekimin e mbi 1 mijë anëtarëve të Qendrës së Gjakovës në zgjedhjet e brendshme, Çaushi nuk ka ngurruar të bëjë thirrje për bashkim dhe të shoh nga zgjedhjet lokale.
“Nuk mund ta lejojmë kthimin e atyre që e rrënuan Gjakovën. Nuk mund të lejojmë të na e përdhosin sërish komunën. Ne që e duam një Gjakovë me zhvillim, mirëqenie, drejtësi dhe dinjitet jemi shumicë. Krejt çka na duhet është që të bëhemi bashkë”, ka shkruar Çaushi.
Driton Çaushi, i biri i veprimtarit të shquar Bardhyl Çaushi, është zgjedhur deputet për herë të dytë nga radhët e Lëvzijes Vetëvendosje. Në zgjedhjet e 11 qershorit në komunën tonë, në mesin e kandidatëve nga Gjakova, ai doli më i votuar duke marrë mbi 6600 vota./radiogjakova/