.
Published On: Wed, Apr 23rd, 2014

Zgjedhjet nacionale, kush garon në Gjakovë?

Share This
Tags

vota-zgjedhGjakovë- Ndonëse ende nuk e kemi një datë zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale, lufta për të përfituar sa më shumë nga këto zgjedhje tashmë ka nisur në Gjakovë. Subjektet politike zyrtarisht ende nuk kanë dalë me emrat e mundshëm të kandidatëve për deputetë, por “nën rrogoz” janë duke qarkulluar me dhjetëa emra në parti të ndryshme.

Të kontaktuar, zyrtarët e disa prej këtyre partive kanë pranuar se janë duke u përgatitur për këto zgjedhje, por sipas tyre puna nuk ka ardhur ende deri tek përcaktimi i emrave. Megjithatë, bazuar në burime mirë të informuara brenda disa prej subjekteve politike, “Zëri” sjell emrat më të përfolur e më të mundshëm, që pritet të jenë pretendentë.

AKR-ja, parti e cila tashmë udhëheq këtu, do të kandidojë me Bernard Nikajn, ministrin aktual të MTI-së, ndërsa afër përcaktimit janë edhe emrat e Valon Llukës dhe deputetes aktuale Sevdije Lama. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësi që AKR të dalë edhe me ndonjë befasi e momenteve të fundit. Meqë Gjakova llogaritet si bastion që mund ta përcaktojë të ardhmen politike të këtij subjekti, zyrtarët e AKR-së duket se do të tregohen shumë të kujdesshëm me kandidatët potencialë.

E për qytet bastion, Gjakovën janë duke e llogaritur edhe në AAK, parti e cila pritet ta ofrojë numrin më të madh të kandidatëve. Burime nga ky subjekt thonë se ata që e kanë të sigurt kandidimin janë Pal Lekaj, Mazllom Kumnova, Lahi Brahimaj, Ardian Gjini, Teuta Haxhiu, Ahmet Asllani, Mentor Kazazi, ndërsa nuk përjashtohen as Agim Koci, Qazim Mehmeti, Aferdita Lama e të tjerë. Sipas burimit, në këtë parti ka pretendime të mëdha për të garuar në këto zgjedhje, por do të jetë lideri i partisë Ramush Haradinaj ai që përfundimisht do të vendosë se kush do të jetë pjesë e listës.

Pretendime thonë se kanë edhe në degën e PDK-së, pari e cila u trefishua në zgjedhjet lokale e që pretendon të rritet edhe më tej. Por, edhe burimet nga kjo parti thonë se kryeministri Hashim Thaçi do të jetë ai që përfundimisht do të vendosë për pjesëmarrësit nga Gjakova. Megjithatë, sipas këtij burimi, kandidatët e mundshëm për deputetë janë Hajdar Beqa, Halit Isufi, Shefqet Avdija dhe Agon Dobruna.

Ndërkohë, në LDK duket se janë të parët që tashmë kanë vendosur për përfaqësuesit e tyre në garën e ardhshme elektorale. Burime mirë të informuara të kësaj partie thonë se 3 kandidatët që janë të sigurt janë nënkryetarja e partisë Teuta Sahatqija, kryetari i degës Luan Gola dhe deputeti aktual Anton Quni. Sipas këtij burimi, ka gjasa të mëdha që kësaj treshe t’i bashkangjiten edhe ish-eprori i lartë policor Ahmet Hasi dhe historiani Jusuf Bajraktari.

E sa i përket Vetëvendosjes, koordinatori i qendrës në Gjakovë Driton Çaushi deri me tani është kandidati i vetëm që e ka të sigurt garimin. Sipas burimeve të gazetës, kandidatët tjerë janë duke u tentuar të përzgjidhen nga shoqëria civile dhe nga jeta publike, emra të cilët deri me tani nuk kanë qenë pjesë as e Vetëvendosjes por as e politikës në përgjithësi./zeri/