Zgjedhjet, shtohet numri i vendvotimeve në Gjakovë
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 11 qershor, Komisioni Komunal Zgjedhor është në fazën e përgatitjeve të planit operacional.
Më këtë rast kjo fazë ka nisur me periudhën e shërbimit të votuesve, ku votuesit nga mosha 18-vjeçare, që për herë të parë do të votojnë , do të kenë mundësi të informohen dhe t’i kontrollojnë të dhënat e tyre në lidhje me qendrën e tyre.
Po ashtu në këtë periudhë do të shfrytëzohet edhe për qytetarët të cilët duan që të ndërrojnë vendvotimin.
Sipas Xhevdet Bytyqi kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor, për këto shërbime, KKZ ka hapur dy zyra, një në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” dhe tjetra në ndërtesën e vjetër të njohur si Këshilli i Vjetër që gjendet pas objektit të muzeut historik.
Risi sipas Bytyqit në këto zgjedhje është fakti se në komunën e Gjakovës sivjet është rritur numri i vendvotimeve në 34, nga 28 sa kanë qenë në zgjedhjet e kaluara.
Ky shtim i numrit të vendvotimeve është bërë në fshatra, në rajone të ndryshme të komunës, me qëllim që qytetarëve t’u bëhet më i lehtë votimi.