.
Published On: Wed, Mar 28th, 2018

Zhvillimet infrastrukturore, Gjini apel bizneseve gjakovare: Përgatituni t’i shfrytëzojmë për të mirën tonë

Share This
Tags

gjiniVitin tjetër pritet të nisë ndërtimi i autostradës së Dukagjinit Prizren-Gjakovë-Pejë e që shkon deri në Istog dhe këtë vit fillimi i autostradës Gjakovë-Klinë. Këto zhvillime në pamje të parë janë shumë të mira dhe pritet te jenë ndihmesë për bizneset gjakovare.

Mirëpo, ashtu si një zhvillim infrastrukturor mund të sjellë investim, në të njëjtën kohë rrezikon edhe të nxjerrë të hyrat në një mënyrë që Komuna e Gjakovës nuk do ta dëshironte.

Pikërisht për këtë arsye, kryetari Ardian Gjini iu është drejtuar bizneseve gjakovare me kërkesën për t’u përgatitur për këto zhvillime të reja.

Gjini paralajmëroi se autostradat mund të shndërrohen në problem, pasi ato do të shkurtojnë distancën kohore me qytetet e tjera dhe qytetarët gjakovarë mund të zgjedhin që mallrat apo shërbimet që mund të blihen në Gjakovë t’i marrin në vendet e tjera.

“Nëse ne nuk jemi të përgatitur për të shfrytëzuar këto zhvillime infrastrukturore, mund të pësojmë. Si? Nëse një qytetar i Gjakovës sot përton të shkojë deri në Prizren të furnizohet me mall që ne mund ta shesim në Gjakovë, kur të ndërtohet autostrada mund të shkojë për 20 minuta”, u shpreh Gjini.

Kryetari Gjini përsëriti kërkesën se bizneset gjakovare së bashku me Komunën dhe ndërmarrjet publike të Gjakovës duhet të nisin të mendojnë dhe të veprojnë se si këto zhvillime infrastrukturore të shkojnë në të mirë të Gjakovës.

Ai tha se ka shumë shembuj nga vendet e rajonit se si zhvillimet infrastrukturore nuk janë shfrytëzuar si duhet dhe pikërisht këtë dëshirojnë të shmangin.

Kreu komunal u shpreh se Këshilli Publiko-Privat mund të ndihmojë që të hartojmë strategji për këtë gjë./radiogjakova/