Zhvillimet në VV, Çaushi dorëhiqet si kryetar i Qendrës së Gjakovës
Zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje kanë përfshirë edhe qendrën e Gjakovës. Pasditen e së mërkurës, Driton Çaushi ka ofruar dorëheqjen si kryetar i qendrës së Gjakovës si dhe nga të gjitha pozitat në strukturat e këtij subjekti politik.
Në arsyetimin e tij, Çaushi thotë se për problemet brenda Vetëvendosjes ka kuptuar në mars të vitit të kaluar nga një aktiviste e Lëvizjes në Gjakovë.
Çaushi ka shtuar se shumë shpejtë disa aktivistë e kanë njoftuar atë se ai është identifikuar si pjesë e grupit të Dardan Molliqajt. Në letrën e dorëheqjes, Çaushi shkruan se edhe pse kishte kërkuar sqarime, madje edhe nga Albin Kurti, ende nuk ka marrë asnjë shpjegim racional, të bazuar e të shëndoshë për një kualifikim të tillë.
Tutje Çuahi shkruan se kishte një antifushatë të qartë ndaj tij dhe Arbërie Nagavcit gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të qershorit dhe se një gjë e tillë kishte ndodhur edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale ku ai ishte kandidat për kryetar.
Çaushi dënon edhe fushatën, siç e thotë ai, të linçimit në Gjakovë me grafite denigruese në qytet dhe para shtëpisë së tij nga ata që Çaushi i quan “aktivistë të manipuluar” vetëm pse ishte takuar me Aida Dërgutin, Visar Ymerin dhe të dorëhequrit e tjerë nga Vetëvendosje.
Në fund të letrës, Çaushi thotë se ka pak shpresë se problemet vërtetë do të zgjidhen. “Përfytyrimi i vetëm i një angazhimi tim politik ka qenë dhe mbetet një subjekt që në synim qendror ka përpjekjen për barazi sociale, emancipim e drejtësi. Uroj që ky subjekt të vazhdojë të jetë Lëvizja Vetëvendosje”, mbyll letrën e tij, Driton Çaushi./radiogjakova/