.
Published On: Wed, Jan 22nd, 2014

Zv/ambasadorja e SHBA-së në Gjakovë, ndihma për bibliotekën

Share This
Tags

mimoza-dogmanGjakovë- Zv/ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Kelly Dognan, ka qëndruar në Gjakovë ku në shoqërim me kryetaren e Komunës kanë vizituar dy institucione të Komunës, ku në njërën është përfituar një donacion.

Në vizitën që i kanë bërë Bibliotekës Rajonale “Ibrahim Rugova”, zëvendësambasadorja amerikane pasi ka kontaktuar stafin, nxënësit, studentët dhe qytetarët lexues, ka dhuruar një donacion prej afro dyqind librave në gjuhën angleze që kanë të bëjnë me historinë dhe politikën, respektivisht administratën amerikane si dhe një pjesë e këtyre ekzemplarëve i përket letërsisë klasike amerikane.

“Ky donacion i ambasadës amerikane për bibliotekën e qytetit ka një vlerë dhe një peshë shumë të madhe. Dihet se libri dedikohet dhe ndikon  që të rinjtë të edukohen dhe arsimohen”, ka pohuar në falënderimin e saj për këtë donacion, kryetarja Kusari Lila. Me këtë rast, kryetarja e Komunës së Gjakovës ka pohuar se duhet krijuar hapësira për biblioteka, pasi me themelimin e Universitetit të Gjakovës duhet të jemi në gjendje të bëjmë edhe bibliotekën universitare në mënyrë që të marrim epitetin e qytetit universitar.

Kelly Dognan ka pohuar se ndjehet e priveligjuar që po viziton Gjakovën. “Kam dëgjuar se Gjakova ka bibliotekë impresive dhe tani po e shoh edhe vet, pasi nuk ka më bukur se të kesh një vend të mirë ku mund të  krijosh hapsira për lexim dhe edukim”, ka thënë ajo. 

Engjëll Berisha, drejtor i Bibliotekës Rajonale “Ibrahim Rugova”, ka njoftuar zyrtaren amerikane për infrastrukturën, stafin, punën dhe kërkesat që ka bibliotekaria në Komunën e Gjakovës. Më pas, kryetarja Mimoza Kusari Lila dhe zëvendësambasadorja amerikane Kelly Dognan kanë vizituar Muzeun Etnografik dhe  “Çarshinë e Madhe”.