Rroni, një talent në ngritje
Çdo adoleshent me prirje këndimin mes shumë sakrificave ka arritur që në moshën 15 vjeçare ta ketë të paktën një album muzikor, por rrallë, ose fare, mund të kemi rastisur të dëgjojmë që një i ri, aq më tepër në këtë moshë, të ketë një album me instrumentale të zhanrit aq shumë të pëlqyer nga të rinjtë i njohur si “house”.
Rron Sadiku ia ka dalë që në fillim të këtij muaji të lansojë diskun e titulluar “Megadisco” me 12 krijimet e tij origjinale. Fakti që është rritur nën frymën krijuese të babait, kompozitorit të njohur Ruzhdi Sadiku, nuk e kemi të vështirë të konstatojmë se përse Rroni ka zgjedhur këtë rrugë, ndërsa fati i të pasurit një studio muzikore ka bërë që të vëjë në punë vetëm talentin.
“Është shumë e vërtetë që nga babi jam inspiruar, por vetëm kaq, sepse unë kam zgjedhur një rrymë muzikore me të cilën babi nuk është marrë ndonjëherë. Ndërsa fati im i mirë dhe lehtësim i madh ka qenë studioja e babit që është e pajisur mirë teknikisht”, thotë Rroni kur e pyesim për ndihmën që mund t’i ketë dhënë i ati në realizimin e këtij albumi.
Rreth dy muaj punë iu deshën Rronit që të përmbyllë me sukses diskun e tij të parë me krijime origjinale, ndërsa na tregon se përse ka zgjedhur muzikën “house”. “Dëgjoj shumë këtë lloj muzike prandaj zgjedhja nuk ka qenë rastësi. Më pëlqejnë dhe me ndihmojnë të frymëzohem shumë krijime apo miksime të disa prej DJ (deejay) të famshëm botërorë si David Guetta, Tisto etj.”, tregon Rroni.
Pavarësisht se disa mund gjykojnë se ky mund të jetë thjesht një lloj aventure për Rronin, në të vërtetë ky disk e ka ndihmuar atë që të marrë një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen. “Unë e kam ndarë mendjen që nuk do t’i ndahem muzikës. Me kalimin e viteve do t’i futem edhe më thellë kësaj bote, përmes studimeve apo edhe duke punuar si producent i të gjitha zhanreve, pavarësisht se ky lloj (house) më flen më tepër në zemër”, shprehet ai.
Edhe pas publikimit të diskut, Rroni nuk i ka dhënë vetes pushim. Ai vazhdon që të kalojë mesatarisht tre deri në katër orë në studio duke punuar fort që të jetë në hap me programet e reja muzikore, por edhe të arrijë një tjetër shkallë profesionalzimi. “Jo nuk ka pushim pas publikimit të albumit sepse kam ende shumë për të mësuar. Çdo ditë synoj që të mësoj diçka të re, ndërsa tani më duhet të perfeksionoj disa programe të reja”, shprehet Rroni, të cilit i shkëlqejnë sytë prej dëshirës dhe vullnetit për të krijuar gjëra të reja./radiogjakova/