Dritëro Agolli i përgjigjet “pse-së” së nxënësve
Gjakovë- Një tregim i shkrimtarit Dritëro Agolli është bërë “sebep” që shkrimtari i madh të krijojë një miqësi të çuditshme me nxënësit e klasës së pestë të njërës prej shkollave fillore të Gjakovës. Ndryshe nga tregimet e zakonshme për fëmijë, tregimit “Ujku” i shkruar në vitin 1963, kur shkrimtari ishte 32 vjeçar, i mungonte fundi. E tërë kjo, siç edhe mund të paramendohet, për shkaqe politike.
Në tregim, autori përshkruan një ngjarje nga jeta e tij kur ishte nxënës. Në një dimër të ftohtë e me shumë borë, autori ishte nisur në shkollë, por në rrugë e sipër i kishin dalë përpara disa ujq.
Të intriguar nga ky tregim dhe kureshtarë për ta ditur fundin e tij, nxënësit kishin filluar një debat me mësuesen e tyre Venera Caka.
“Duke u nisur nga kjo unë pyeta nxënësit se si ka përfunduar ky tregim gjegjësisht si arriti ky djalosh të shpëtojë nga ujqit .Nxënësit dhanë shumë ide interesante , por pasi që shkrimtari është gjallë ne patëm mundësi t’ia drejtojmë këtë pyetje atij dhe kështu ta mësojmë të vërtetën”, tregon mësuesja, duke e shpalosur letrën që vetë fëmiljët e kishin shkruar, e në të cilën thuhej:
I dashur xhaxhi Dritëro
Ne që po të shkruajmë jemi nxënës të klasës së pestë, të shkollës fillore ,, Këlmend Rizvanolli “ me mësuese Venera Caka , nga Gjakova.
Ne kemi lexuar libra dhe tregime të shkruara nga Ju dhe na kanë pëlqyer shumë. Së fundmi kemi mësuar tregimin ‘Ujku’ , i cili na ka bërë shumë kuriozë për atë se çfarë keni treguar dhe përshkruar rreth përballjes tuaj me ujqit kur ju ishit 13 vjeç.
Pasi që e keni shkruar në vetën e parë, ne mendojmë se kjo ngjarje ju ka ndodhur vërtetë. Në fund keni shkruar: -Po fillonte të ngrysej, po ujku vazhdonte të rrinte i shtrirë nën këmbët e mia, me veshë të ngritur, duke më ndjekur.
Nga kjo që keni shkruar nuk e kemi kuptuar se si arritët të shpëtoni nga ujqit. Për këtë mësuesja na nxiti që të japim mendimet tona rreth mundësive që ju keni pasur për të shpëtuar. Ne dhamë këto mendime:
– Mund të ketë kaluar ndonjë kafshë tjetër aty afër dhe ujqit do ta kishin ndjekur atë dhe kështu ke shpëtuar.
– Mund të kenë ardhur fshatarët me çifte dhe të kanë shpëtuar.
– Mund të jenë lodhur ujqit duke pritur dhe i ka zënë gjumi kështu që ti ke ikur, etj.
Ne duam të dimë se cila është e vërteta. Do të të ishim shumë mirënjohës nëse do të na tregoje. Urojmë që letra jonë t’ju gjejë mirë me shëndet, i dashur xhaxhi Dritëro.
Rrofsh sa malet!
Mësuesja thotë se letrën e dërguan por nuk ishin të sigurt nëse do të merrnin përgjigje. Mirëpo, disa ditë më vonë, në klasë hyrë roja e shkollës, i cili mbante një zarfë të madhe me ngjyrë të verdhë.
“Me ta parë nxënësit, brohoritën njëzëri ‘Na erdhi letra nga Dritëro Agolli’. Ishte një emocion shumë i madh dhe i papërshkrueshëm. Kur e hapëm zarfin , pamë që përveç letrës ai na kishte dërguar edhe dy kartolina për Vitin e Ri , një për mësuesen dhe një për nxënësit e klasës sonë si dhe për të gjithë nxënësit e shkollës.
Gjithashtu në zarf e kishte futur edhe librin e tij , ‘Zhurma e erërave të dikurshme’ , të cilin ia kishte dhuruar mësueses”, thotë Caka.
Në letrën e tij shkruante: Të dashur nxënës të Gjakovës, e nderuara mësuese.
Mua më ka prekur shumë letra juaj e përzemërt dhe e kulturuar. Unë menjëherë kuptova se edhe fëmijëria juaj është e barabartë me fëmijërinë time , pasi edhe unë bëja me mendjen time pyetjen ,,pse”.
Njeriu rritet me të thjeshtën ,,pse”, pastaj kalon në ,,po” dhe ,,jo”, pasi ,,jo” dhe ,,po” janë më të ndërlikuara se ,,pse”. Këtë hyrje në përgjigje të letrës suaj unë e bëra më shumë për të shumënderuarën mësuese, po edhe për ju të shumëdashur nxënës.
Tani për tregimin,,Ujku” mbi të cilin vini me të drejtë pyetjen ,,pse”.
Tregimin ,,Ujku” unë e kam shkruar në vitin 1963, kur isha në moshë 32 vjet. Është një ngjarje e vërtetë. Kur isha i vogël ndiqja një shkollë, që ishte larg nga fshati im (Merkulas) 16 kilometra.
Një ditë dimri me dëborë më dolën nga larg 3 apo 4 ujq të mëdhenj me një të vogël , sa një këlysh. Që të shpëtoja unë u ngjita në një lis.
Ujqit poshtë meje vinin rrotull, ndërsa unë , megjithëse hiqesha si trim, dridhësha. Ndërkohë erdhën gjahtarët dhe qëlluan me çifte ujqit.
Duke qëlluar ata vranë vetëm ujkun e vogël, siç thoni ju në Gjakovë: vocërrak. Mua më erdhi keq dhe iu thashë gjahtarëve: – Ju duhet të vrisnit ujkun e madh , jo të voglin. Libri im ,, Zhurma e erërave të dikurshme”, kur u botua më 1964 , u ndalua edhe për tregimin ,, Ujku” , pasi mendonin se unë gjoja kisha në mendje të vritej një udhëheqës i rëndësishëm, jo një nëpunës i vogël siç ishte këlyshi i ulkonjës.
Fatkeqësisht, sot në tekstet shkollore këtij tregimi ia kanë hequr fundin , ku del edhe ideja kryesore përse është shkruar. Ideja ime është : shpesh në jetë e pëson i pafajshmi.
Me këtë rast ju uroj përzemërsisht Vitin e Ri 2014, mbarësi dhe arritje në mësime!
Përqafime Dritëro Agolli
Kështu e përmbyll letrën dërguar nxënësve gjakovarë shkrimtari i madh Dritëro Agolli duke sjellë gëzimin e madh për ta dhe duke hapur shtigje miqësie e dashurie akoma më të madhe të nxënësve për letërsinë./zeri/