ICT Awards, Dorris Manxhuka vlerësohet me mirënjohje të veçantë
Të premten mbrëma në Tiranë është mbajtur nata gala e ndarjes së çmimeve të ICT Awards, një konkurs ky mbarëkombëtar, unik për nga karakteri dhe dedikimi, në fushën e teknologjisë së informacionit.
E kthyer në një arenë prestigjioze arritjesh dhe një pasioni të zjarrtë për teknologjinë, ku më të mirët e industrisë së ICT-së ballafaqojnë mes tyre idetë, lidershipin dhe gjenialitetin, ICT Awards është shndërruar në eventin më të dashur të komunitetit të ICT-së në mbarë trevat shqiptare.
Edhe kësaj radhe, në garë kanë qenë të rinj gjakovarë që kanë konkurruar me projektet e tyre. Njëri prej tyre, Dorris Manxhuka, mori mirënjohje të veçantë për prirje të avancuara në fushën e informatikës dhe njohuri e aftësi të rralla në përdorimin e teknologjive.
Manxhuka kishte aplikuar në ICT Awards me projektin “Hey”, projekt ky i cili integron karrocën e personave me aftësi të kufizuar me një sistem smartphone. Pas pranimit të mirënjohjes, ai u shpreh i lumtur me arritjen.
Po ashtu, në një konkurrencë të fortë në kategorinë “Inovacioni i vitit” ishin pjesë edhe të rinjtë gjakovarë me makinën elektrike Bonevet, të cilët arritën të dalin të dytët.
Gjakova tashmë është bërë një qendër e rëndësishme e rrugëtimit të këtij eventi mbarëkombëtar të teknologjisë dhe ku mbahen takime të rregullta./radiogjakova/