.
Published On: Fri, Aug 2nd, 2013

Libri s’është më shoku më i mirë

Share This
Tags

librariNë shumë thënie të cilat mund t’i gjesh për librat, thuhet se ai shoku më i mirë për njeriun, por si duket gjërat kanë ndryshuar. Të pakten kështu duket për rininë gjakovare e cila ‘shokë’ mund t’i ketë të gjithë, por jo aq ‘mik të shpirtit’ dhe librin.

Pedagogu i gjuhës shqipe në shkollen e mesme “Kadri Kusari”, Hajrullah Hana thotë se pasojat e mosleximit dallohen më së shumti në drejtshkrim. Ai tregon se pikërisht për këtë fakt janë detyruar që drejtshkrimin tashmë ta përfshijnë në planprogramet shkollore për një semester të plotë.

Hana tregon rastin e tij për të cilin thotë se çdo fillimvit akademik nxënësve ju cakton autoret ose titujt që duhet të lexohen, por në fund kjo nuk realizohet as për 15%. Ai këshillon prindërit që të edukojnë fëmijët e tyre me lexim që në fëmijëri. “Në fillore është nisma, një çokolatë kushton 1 ose 1.5 euro, poaq ke lektyra për fillorist”, thotë Hana.

Librashitësja Flutra Lajqi shprehet se më shumë se të rinjët libra blejnë të moshuarit. Ajo thotë se ata shpeshherë kursejnë nga të ardhurat minimale dhe mundohen të blejnë një liber në muaj.

Çmime të arsyeshme

Që çmimi nuk është një problem, mendojnë dhe dy librashitëset në dy nga libraritë e Gjakovës, përkatësisht Gresa Pozhegu nga libraria “Tomorri” dhe Flutra Lajqi nga libraria “Ilirku”.

“Për fëmijë çmimet fillojnë nga 1 euro për lektyra, ndërsa më shtrenjtë janë romanet të cilat nuk e kalojnë 6 euroshin. Për të rinjët, nga ata që preferohen, duke filluar nga librat psikologjik të cilët variojnë nga 4 deri në 9 euro, përjashtim bëjnë librat e Daniele Steel dhe të Oshos të cilët janë pak më të shtrenjtë”, thotë Lajqi.

Në librarinë “Tomorri”, përfaqësuese e botimeve “Pegi” thotë se çmimet janë të arsyeshme, sidomos nëse ato janë të shtëpisë botuese të cilët i përfaqësojnë. “Për qytetin e Gjakovës çmimet janë shumë të arsyeshme, sidomos nëse kemi parasysh faktin se librat në qytetet tjera si përshembull në Prishtinë, ato janë më të shtrenjtë se këtu”, shprehet Pozhegu.

Pedagogu Hana kujton se libra mjaft të mirë dhe të autorëve me nam në gjuhen shqipe mund të shkarkohen apo të lexohen dhe nga interneti.

libra-kopshti

Një libër si dhuratë

Me rastin e ndonjë datëlindjeje të një miku shpesh stresojmë veten për dhuratën e përshtatshme, pa menduar se një dhuratë shumë e bukur mund të jetë dhe libri. “Ata që bëjnë dhuratë libra më së shumti janë filloristët ndërsa rinia, dhe këtu nënkuptoj nxënësit e shkollave të mesme dhe më lartë, janë raste të rralla kur praktikojnë një gjë të tillë”, shprehet Flutra Lajqi nga libraria “Ilirku”.

Edhe Gresa Pozhegu thotë se librat nuk bëhen shpesh dhuratë, por gjërat kanë filluar të lëvizin pozitivisht. “Kohët e fundit këmi vërejtur se ka një rritje të personave të cilët dhurojnë libra. Kemi raste kur vëllau i dhuron motres një libër, fëmijët prindërve dhe nxënësit profesorëve”,thotë Pozhegu.

vajza-libri

Me libra në plazh

Derisa shijojmë pushimet qoftë në plazh apo pishina, kemi rastin të lexojmë dhe një libër. Por kë mund të lexojmë? Pedagogu Hajrullah Hana preferon autorët shqiptarë. “Shumë nga të rinjët preferojnë Daniel Steel-in dhe nuk lexohet Kadare ose Agolli që tekstet e tyre i këndojnë çdo ditë pasi ato janë përshtatur dhe për shumë këngë argëtuese. Duhet të kemi parasysh edhe krijmtarinë e Ali Podrimës, e cila si e plotë u botua së fundmi në Prishtinë” thotë Hana.

Po kaq shqiptare në propozimin e librave mundohet të tregohet edhe Gresa e librarisë “Tomorri” e cila na tregon për disa nga titujt më të kërkuar. “Në zhanrin romantik vlen të theksohet autori vlonjat Viktor Canosinaj i cili ka shumë libra për të rinj. Nga romanet, vepra “Tre shokë” e autorit klasik, Remarkut. Për historinë apo çështjet shqiptare preferohet “Kosova” e Jusuf Buxhovit, “Skënderbeu” i Aurel Plasarit apo dhe “Faik Konica – jeta në Uashington” e Ilir Ikonomit. Ndërsa nga librat psikologjik, të cilët preferohen shumë, ka mjaft tituj, por është një botim i 2013-ës, “Mjetet” e Phil Stutz dhe Barry Michels”, tregon për fund Gresa./radiogjakova/

libra-plazh