Prezantohet vetura elektrike
Gjashtë të rinj nga Gjakova, pjesë e Hapësirës Krijuese BONEVET, kanë ndërtuar veturën e parë elektrike në Kosovë.
Buna Perteshoni, Dion Doli, Enisa Muhaxhiri, Lumi Zhubi, Gëzim Haziri dhe Beatrisa Zherka janë grupi i parë i të rinjve në Europë të grupmoshës deri më 16-vjeç që kanë ndërtuar veturë elektrike.
Dion Doli ka shpjeguar fazat e ndërtimit të makinës të shtrirë në 1 vit kalendarik. Ai tha se proejkti është ndarë në dy faza me nga 6 muaj. Në periudhën e parë, grupi ka marrë njohuri teorike mbi ndërtimin, ndërsa në 6-mujorin e dytë ka filluar ndërtimi me ndihmën e dy mentorëve amerikanë.
Ndërsa, Buna Perteshoni tha se vetura përmban 40 bateri, ndërsa mbushja realizohet përmes dy mënyrave, të shpejtë dh të ngadaltë. Me “fast charge” mbushja bëhet për 1 orë e 30 minuta, ndërsa me “slow charge” 4 deri në 5 orë.
Me një mbushje, makina mund të përshkrojë deri në 70 kilometra. Ajo gjithashtu tha se shpejtësia që mund të arrijë vetura është 120 kilometra në orë.
Krijuesi i BONEVET, Vllaznim Xhiha, u shpreh i lumtur për realizimin e kësaj veture. Sipas tij, ka qenë objektiv i BONEVET që të bëjë hapin e madh dhe nga krijime teknologjike të vogla të krijojë një projekt më të madh dhe inovativ si kjo veturë.
Në ceremoninë e prezantimit të veturës që u mbajt të enjten pasdite në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” ishte e pranishme edhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila që tha se “projekte të tilla, të bëjnë të kuptosh se komuna e Gjakovës ka të ardhme të ndritur, kjo falë kapaciteteve të rinisë që ka”./radiogjakova/