.
Published On: Tue, Sep 12th, 2017

Qendra krijuese në Gjimnazin “Hajdar Dushi”

Share This
Tags

Gjimnazi i Gjakovës “Hajdar Dushi” dhe ai i Prishtinës “Xhevdet Doda” janë përzgjedhur si shkolla pilot për të përfituar nga programi USAID-it për përkrahje të adoleshentëve pas mësimit të rregullt.

Ky program pesëvjeçar ka për qëllim të zhvillojë aftësitë për punësim dhe ndërmarrësi tek rinia e Kosovës.

Drejtori i Gjimnazit “Hajdar Dushi”, Bedri Cahani, tha se tashmë i kanë bërë të gjitha përgatitjet për krijimin e qendrave brenda hapësirës së shkollës. Këto klasa do të jenë të njëjta si ato të hapësirës krijuese “Bonevet”.

“Këto qendra do të mund të shrytëzohen gjatë dhe pas orarit të mësimit. Ne tashmë i kemi bërë përgatitjet për realizimin e projektit i cili jam i bindur që do t’ju ndihmojë nxënësve që njohuritë teorike t’i zbatojnë edhe në praktikë”, u shpreh ai.

Cahani tha se më e rëndësishme është fakti se ky projekt do t’ju japë mundësinë nxënësve që të orinetohen në karrierë.

“Në bazë të disa studimeve, na del se një përqindje e madhe e nxënësve nuk kanë ide për të ardhmen e tyre. Prandaj fokusi i shkollës sonë mbetet që t’i orientojmë drejt në karrierë pasi 4 apo 5 vite studim përcaktojnë 40 vite të jetës së tyre”, vijoi Cahani.

Drejtori i Gjimnazit “Hajdar Dushi” shpjegoi se profesorët e shkollës do të kenë të drejtën të ndajnë nxënësit në grupe në bazë të aftësive dhe interesit të nxënësve e më pastaj do të vazhdohet me punë.

Implementimi i plotë i këtij projekti me rëndësi për nxënësit e gjimnazit pritet të nisë në muajin tetor, ndërsa javën e ardhshme do të mbahet edhe ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit mes këtij institucioni arsimor, USAID-it dhe Komunës së Gjakovës./radiogjakova/