Ra “Facebook”-u e u njohem
Rrjetet sociale po ofrojnë mundësi të ndryshme për një botë sa më miqësore. Miq këtej e përtej oqeanit, mijëra postime të ndryshme, foto e statusa të cilët na bëjnë botën e miqve tanë virtual, më të pranishme edhe në largësi kilometrash.
Gjithçka fillon me një “kërkesë miqësie” të dërguar në “Facebook”, një “ndjekje” në “Twitter” e nje “like” në “Instagram”. Por ndodh që këto miqësi, të cilat nisin në rrjete sociale, të mbijetojnë edhe në jeten reale pa pasur një takim të drejtpërdrejt fizik, për një kohë të gjatë. I tillë është edhe rasti i Vesës nga Gjakova dhe Lisit nga Prishtina.
“Gjithçka ka fillur kur Lisi më ka dërguar kërkesën në “Facebook”, edhe pas ca ditësh “në pritje”, unë e kam pranur, me mendimin se do jetë thjesht një mik më tepër aty”, tregon fillimin e kësaj miqësie, Vesa.
Edhe pse Gjakova nga Prishtina është më pak se 1 orë e 30 minuta larg, Lisi e Vesa nuk janë takuar për një kohë. “Jemi shumë afër njëri-tjetrit por nuk na u dha mundësia që të takoheshim për shkak të angazhimeve tona”, thotë Lisi.
“Kemi folur gjithcka, për shkollën, miqtë, familjen, kohën tonë të lirë, dhe në kaq pak kohë ne dinim shumë për njëri-tjetrin, por ende nuk njiheshim “live””, tregon me qeshje Lisi. Duke ndarë me njëri-tjetrin ditën e tyre të plotë, ata vazhdonin të komunikonin përmes ekranit të kompjuterit.
Duke treguar shumëçka nga bisedat e tyre, Vesa kaloi edhe tek takimi i shumëpritur. ”Me shkollën të dy do të përfundonim në të njëjtën kohë. Pushimet do i shfrytëzonim krejtësisht thjesht, andaj pas një bisede , ne vendosëm që të takoheshim edhe të njiheshim siç i ka hije” , thotë Vesa.
Si çdo i ri që kafen e kafiterinë e përdor për takime, edhe Vesa e Lisi zgjodhën një lokal në Gjakovë, që të takohen e të njihen, më në fund. “Pas 3 muaj e gjysmë ne u takuam dhe dukeshim se njiheshim me vite, veçse tash edhe po e shihnim njëri tjetrin”, tregon çaste nga ajo ditë Lisi.
Me anën e një kablloje e një ekrani të sheshtë ata nisën e po e vazhdojnë një miqësi tepër të bukur. Shpesh është vënë në pikëpytje nëse shoqëritë përmes “Facebook-ut” janë reale, shpesh përmes këtij rrjeti social është abuzuar, por ja që ka dhe histori të kundërta me to./radiogjakova/
Fiona B. Stuja